KALENDARI HISTORIK

1190 – 1216. Dëshmohet shteti i Arbërit, pjesë e rëndësishme e të cilit ishte edhe Mirdita. Në Ndërfanë është zbuluar Stema e Shtetit të Arbërit dhe një mbishkrim i rëndësishëm në arkitraun e kishës së Ndërfanës.

1281. Gjin Tanushi mori titullin “Dukë” (titull i lartë perendimor) Titulli “Dukë” dhe emri Gjin krijuan mbiemrin e njërës ndër familjet dhe principatat më të përmendura të kohës. Dukagjinët ishin zotër edhe të Mirditës.

1313 – 1336. Një tjetër familje e madhe feudale vendase, ajo e Blinishtëve, sundon midis lumenjëve Fanë e Gjadër, pjesë kjo që përfshin brezin kodrinor të Mirditës.

1416 – 1417. Shfaqet për herë të parë emri Mirditë në kadastrën Venedikase të Shkodrës. Në katundin Manzabardh të Nënshkodrës banonin në vitet 1416 – 1417 Gjon e Pjetër Mirdita. Ata nuk ishin vendës, por të ardhur nga viset midis lumenjëve Fanë e Mat.
1570. Në këtë vit përmendet “Lidhja e madhe e Mirditës”. Për t`i bërë ballë pushtuesit turk u krijua një unitet midis maleve të ndryshme Miriditë, Pukë, Lumë etj. Kjo lidhje ekzistoi për shumë
kohë.

1595. Kuvendi i Ndërfanës. I filloi punimet me 7 qershor 1595 në manastirin e Shën Mërisë së Ndërfanës. Këtu u projektua kryengritja e madhe e përgjithshme kundër turqve.

1602. Kuvendi i Dukagjinit. U mbajt më 15 shkurt 1602 pranë manastirit të Shën Llezhdrit të Dukagjinit, në Malin e Shenjtit Orosh. Morën pjesë rreth 2656 delegatë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Qëllimi ishte : “… ne duem të jemi të lirë… si sot ashtu edhe ma vonë.”

1692. Nga të dhëna të ndryshme na bëhet me dije se në vitin 1692, në Velë ishte një shkollë ku mësohej në gjuhën shqipe. Kjo e dhënë tregon se shkollat shqipe janë më të hershme se sa festimi zyrtar i arsimit shqip.

1806. Lindi Pjetër Zarishi. Në Blinisht të Zadrimës lindi Pjetër Zarishi ndër poetët prijës të Rilindjes Kombëtare. Për 15 vjet qe Abat i Mirditës. Vdiq në vitin 1866.

1846. Lindi Prend Doçi. Më 2 shkurt të vitit 1846 lindi Prend Doçi në Bulgër (Paraspor të Rubikut) Qe figurë e shquar e Rilindjes Kombëtare. Për 29 vjet qe Abat i Mirditës, një njeri me shumë
influencë në qarqet kishtare e politike të kohës. Vdiq në vitin 1917, më 21 shkurt.

1849. Bibë Dod Pasha. Në këtë vit, për meritë të tij dhe të mirditasve në luftimet e ndryshme, Bib Dod Pashës iu dha titulli: “Pashë”, i pari i tillë i krishterë.

1855. Kolë Toma. Ne Velë të Mirditës në vitin 1855 lindi Kolë Toma i Velës, njëri ndër udhëheqësit më të dëgjuar të Mirditës në luftrat kundër Turqisë. Vdiq në vitin 1923.

1855. Bibë Doda. Në këtë vit Bibë Doda shpallet “Princ” Papa e dekoroi me Urdhërin e Shën Gregorit, duke i dhënë titullin: “Princeps Mirditarum”

1858. Lindi Preng Marka Prenga. Drejtuesi më në zë i bajrakut të Oroshit. Një ndër drejtuesit e kryengritjeve që çuan në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Ishte plak i mençur i Kanunit. Vdiq në vitin 1955.

1860. Lindi Preng Bib Doda. Qe një ndër udhëheqësit më të njohur shqiptarë në fillimet e shekullit të 20. Zevendëskryeministër dhe ministër në qeveritë e para të shtetit shqiptar. Vdiq i vrarë në befasi në 22 mars 1919.

1862. Kuvendi i Shpalit. U organizua nga Abati Gaspër Krasniqi, i cili udhëhoqi disa kryengritje kundër pushtuesit turk. Ky kuvend çoi në kryengritjen e atij viti, e cila qe shumë e rëndësishme për çeshtjen shqiptare.

1873. Më 20 mars të vitit 1873 lindi dom Prend Suli. Ishte prift, dijetar, etnolog, folklorist i njohur, autor i shumë shkrimeve në revistat kulturore e fetare të kohës. Vdiq në vitin 1943.

1876. Kryengritja kundër turqve. Më 27 dhejtor 1876, në kuvendin e krerëve të 12 bajrakëve u vendos fillimi i kryengritjes së përgjithshme kundra pushtimit turk. Kjo kryengritje pati në krye abatin e Miridtës Prend Doçin dhe princin Preng Bib Doda. Ishte një ndër kryengritjet që tronditi themelët e perandorisë osmane.

1878. Më 20 gusht të vitit 1878 lindi dom Nikoll Kimza, prift dhe historian i njohur i Mirditës në gjysmën e parë të shekullit të 20. Vdiq në emigracion.

1882. Lindi Nikollë Kaçorri. Sekretar i Arqipeshkëvisë së Durrësit. Figurë kryesore në lëvizjen kombëtare për pavarësi. Nënkryetar i qeverisë së Vlorës në vitin 1912. Vdiq në vitin 1917.

1884. Lindi Ambroz Marlaskaj. U lind në Kuzhnen të Mirditës. Prift dhe dijetar françeskan. Ka qenë deputet i Mirditës në Kuvendin Shqiptar në vitet 1923 – 24. Ka qenë rektor i universitetit
Antonian në Romë. Vdiq më 17 qershor 1939.

1888. Abacia e Oroshit. Më 25 tetor 1888 Papa Leoni XIII nxjerr dekretin për rimëkëmbjen e Abacisë së Oroshit dhe emërimin Abat të Prend Doçit. Që nga kjo kohë fillon një histori e re për këtë abaci.

1896. Albanologu i njohur Gustav Majer mbledh të parën këngë të Eposit të Kreshnikëve në Mirditë, që ishte dhe e para këngë e këtij lloji e mbledhur në Shqipëri.

1899. Shkolla shqipe e Oroshit. Për herë të parë, zyrtarisht, në Mirditë hapet shkolla e parë shqipe, nga Abat Prend Doçi në Orosh.

1899. Shoqëria “Bashkimi”. Në janar të vitit 1899 Prend Doçi i ndihmuar nga Gjergj Fishta, Dod Koleci etj, themeluan shoqërinë kulturore “Bashkimi”, e cila pati ndikim të drejtëpërdrejtë në
hartimin dhe miratimin e alfabetit të gjuhës shqipe.

1911. Më 6 prill të vitit 1911 në Kalivare mblidhet Kuvendi i 12 bajrakëve të Mirditës, ku morën pjesë rreth 600 burra dhe nga Malësia e Madhe e Luma. U zgjodh Komiteti i Luftës kundra turqëve me në krye bajraktarin e Oroshit Preng Marka Prenga.

1911. Më 27 prill 1911 Preng Marka Prenga me kërkesën dhe mbështetjen e Prend Doçit ngriti flamurin e kryengritjes tek Kisha e Shmarkut në Fanë.

1911. Më 26 korrik të vitit 1911 ushtria luftarake e Mirditës çlirojnë Lezhën dhe së bashku me vulnetarë nga Mati, Dibra e Luma, marrshojnë drejt Durrësit.

1912. Në memorandumin drejtuar kancelarive perendimore nënshkruajnë: Preng Marka Prenga, Zef Ndoci, Ndue Përdeda, Frrok Dedë Kola, Ndrec Nikolli, Preng Tuc Doda, Preng Gegë Prendi, Kolë Toma, Dodë Bardhoku, që ishin krerë e bajraktarë.

1912. Më 2 dhjetor të vitit 1912 nga patriotët e zonës së Rubikut ngrihet flamuri tek Kisha e Shëlbuemit.

1915. Më 17 shkurt të vitit 1915 vdes në Ndërfanë, ku shërbeu për 21 vjet, prifti dijetar, gjuhëtari Dodë Koleci, me origjinë nga Selita e Mirditës.

1915. Në Grykën e Bargjanës, kryengritësit e Mirditës thyen forcat e ushtrisë Serbe. duke i bërë të kalojnë nën armët e kryqëzuara të mirditasve.

1918. Më 2 qershor të vitit 1918 lindi në Baz të Mirditës Gjin Marka Toma. Qe general, komandant i Brigadës së VII dhe Divizionit VI në LANÇ. Vdiq në burg në vitin 1986.

1919. Në Bisakë të Fanit lindi Ndrec Ndue Gjoka. U arsimua në normalen e Elbasanit për mësues dhe fill pas çlirimit të Shqipërisë, kontriboi në hapjen e 50 shkollave në Mirditë. Është “Mësues i popullit”. Vritet në pritë më 17 shkurt të vitit 1946 në Qafë Vorrez të Kaçinarit nga kundërshtarët e regjimit komunist.

1920. Më 28 janar 1920 në Orosh të Mirditës lindi Bardhok Biba.Qe komisar në luftë, organizator i kuvendit të Blinishtit më 6 nëntor 1944. Deputet i kuvendit të Shqipërisë pas luftës. Mban titullin “Hero i popullit” Vritet në pritë në Qafë Valmir më 7 gusht të vitit 1949 nga një grup antikomunist i quajtur “Komiteti i maleve”. Mban titullin “Hero i Popullit”.

12 prill 1920: Lindi Preng Lëkunda, në Lëkundë të Mirditës, një ndër aktorët e njohur të filmit e teatrit shqiptar, “Artist i Merituar”.

1922: Zef Gjinali Ipeshkëv. Me 16 janar 1922, Zef Gjinali shugurohet nga Papa Ipeshkëv, Abat i Mirditës (1875- 1960).

1925. Hapet konvikti “Mirdita” i Oroshit, i cili funksionoi deri në vitin 1939.

1935 (21 maj): Lindi në Orosh të Mirditës etnologu i shquar, Prof. Dr. Mark Tirta, autor i një vargu studimesh, monografish librash kushtuar mitologjisë, migrimeve shqiptare, veshjeve etj.

1938. Nis shfrytëzimi i minierës së bakrit në Rubik. Prej këtej fillon shfrytëzimi i mineraleve në Mirditë dhe në gjithë Shqipërinë.

1938: Në Rubik u bë greva e parë e punëtorëve të Mirditës, për përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagës.

23 shkurt 1943: Në Gomsiqe të Mirditës u krijua formacioni i parë partizan, çeta Pukë- Mirditë.

21 gusht 1944: Ranë heroikisht në luftën Nacionalçlirimtare Heronjt e Vigut: Ndoc Mazi, Naim Gjylbegu, Ahmet Haxhia, Ndoc Deda dhe Hydajet Lezha.

1944. Me 26 tetor 1944, pas luftës së Shpalit, Mirdita çlirohet dhe kjo ditë kremtohet si dita e çlirimit të Mirditës.

1947: Për herë të parë në Mirditë hapet shkolla 7 vjeçare, në Rrëshen.

1949: Me dekret të PKP të RPSH me 11.03.1949, Rrësheni bëhet qendër administrative e rrethit të Mirditës dhe fillon ndërtimi i qytetit të ri.

1949: Më 17 gusht 1949, në Shpal ekzekutohen pa gjyq 14 burra mirditas, pas vrasjes së deputetit të Mirditës Bardhok Biba, të akuzuar nga shteti si bashkëpuntorë në vrasjen e tij.

1952: Hapet konvikti në Rrëshen, i cili vijon edhe sot.

1960: Hapet për herë të parë shkolla e mesme e përgjithshme në Rrëshen.

1969: Hapet shkolla e mesme industriale e Rubikut, shkollë rajonale ku mësonin nxënës kryesisht nga rrethet e Veriut.

1961: Fillon punë spitali i Rrëshenit me 2 mjek e 40 shtretër.

1970: U përurua Pallati i Kulturës Rrëshen.

1971: Përfundon elektrifikimi i plotë i Mirditës me Kaçinarin, ku kryhet një ceremoni dhe vendoset një pllakë përkujtimore.

1972: U ndërtua dhe u vu në funksion kinema “26 tetori” në Rrëshen.

1974: U vu në funksion godina e re e Muzeut historik të rrethit Mirditë, i cili ishte krijuar ne vitin 1968.

1978: Ansambli folklorik “Mirdita” fiton flamurin e festivalit folklorik kombëtar të Gjirokastrës.

1991: Formohen partite politike ne Mirdite.

2002: Katedralja e Rreshenit.

2004: Ndertohet shkolla Profesionale “Shen Jozefi Punetor” ne Rreshen.

2009: Perfundon “Rruga e Kombit” (mbi 70 km neper Mirdite)

2010-2012: Minatori volejboll per femra, Kampione Kombetare

Ky kalendar historik është një përpjekje për të krijuar një rend kronologjik të ngjarjeve dhe individëve që mund të kenë lënë gjurmë në historinë, kulturën dhe fusha të tjera shoqërore të Mirditës. Mund te pasurohet me prurje te tjera.

Back to top button
Close