
Piktogramet, vendi i parë që duhet vizituar
Midis masiveve shkëmbore ka një zgjedhje që ka ardhur si rezultat i njohjes shumë të mirë të formacioneve shkëmbore.
Pikturat janë bërë në shkëmbinj që i takojnë formacioneve të tercialit, që kanë një fortësi të qëndrueshme nga agjentët atmosferikë dhe formojnë faqe të lëmuara, siç është shkëmbi i Spilesë (Tren), shkëmbi i Xibrit, i Reçit, i Bovillës etj.
Shkëmbinjtë e zgjedhur për realizimin e pikturave shkëmbore gjenden në afërsi të vendbanimeve, në një distancë që mund të shkohet në rastet ceremoniale, p.sh., shkëmbi i Spilesë është gjysëm km larg vendbanimt të Trenit, piktura e Vlashnjes gjëndet 1,5 km larg vendbanimit, piktura e Lepenicës është disa kilometra nga shpella e Velçës. Ende nuk njohim vendbanimet prehistorike në afërsi të pikturës së Rubikut, të Bovillës, të Xibrit e të Reçit. Të para në shpërndarjen gjeografike, çdo njëri nga realizimet e artit shkëmbor i takonte një zone të caktuar. Piktura e Lepenicës gjendet në Shqipërinë Jugperëndimore, piktura e Trenit në Shqipërinë Juglindore, piktura e Bovillës në Shqipërinë e mesme, piktura e Rubikut në Shqipërinë e brendëshme veriperëndimore, incizimi i Xibrit në Shqipërinë e brendëshme qëndrore, incizimi i Reçit në Shqipërinë Verilindore dhe piktura e Vlashnjёs pak kilometra jashtë kufirit Verilindor të Shqipërisë.
Këto cilësi të zgjedhjes së vendit, të pozicionit të shkëmbit e të vetë faqes apo strehës ku njeriu prehistorik ka realizuar veprën e artit, nuk janë të rastësishme, po rezultat i një njohje të plotë të thellë të mjedisit që e rrethonte. Duke zgjedhur ato shkëmbinj që veçoheshin nga të tjerët për madhështinë natyrore, ai ka ditur të krijojë një raport me madhështinë e forcën e tyre. Aty ato janë bërë si faqet e librit, biblioteka tempuj e hapur, ku në mënyrë të sintetizuar e tё abstraguar, njeriu prehistorik arriti të fiksojë e të përjetësojë në faqet e shkëmbinjve konceptet mistiko-religjioze, të flasë me gjuhën e artit monumental me piktograme e ideograme).
Në përmbajtje, në motivet e mjetet shprehëse, në ideogramet, veprat e artit shkëmbor të epokës së holocenit janë të njëjta ose mjaft të përafërta. Kështu, rrethi me katër a më shumë rreze është ideogrami kryesor që i bashkon, ai është i pranishëm në Rubik, në Reç, në Xibër, në Bovillë. I tillë është edhe motivi i kryqit, i realizuar në përmasa të ndryshme në Reç, në Xibër e nё Rubik.
Figura antropomorfe qё zë një vend qendror në pikturën e Lepenicës, është kryesore edhe në pikturat e Rubikut dhe pjesërisht në mënyrë të zbehtë në incizimin e Reçit. Përdorimi i pikave në plotësim të figurave është piktogrami që e ndeshim në Lepenicë e Rubik.
Figurat e shrregullta gjeometrike janë piktograme që vёnë në lidhje të drejtpërdrejtë Lepenicën me Rubikun dhe me Reçin. Shenja të këtij piktogrami ka edhe në Reç. Ideograme të veçanta ka piktura e Vlashnjes, me motivin e spirales apo të spirales dyfishe.